Kisha e Shën Gjergjit (Sinodale) (Prizren)

Kisha e Shën Gjergjit (Sinodale) gjendet në pjesën e vjetër të qytetit, në lagjen Qafë-pazari përballë kishës së Shën Gjergj-Runoviqit. Objekti është ndërtuar në vitin 1887, kurse më vonë në vitin 1903 është ndërtuar këmbanara. Është kishë tri anijatëshe, e ndërtuar me gur të gdhendur të lidhur me llaç gëlqeror, kurse pjesa e këmbënares është ndërtuar me tulla të lidhur me llaç gëlqeror. Pjesa e jashtme nuk është e suvatuar, ku vërehet mirë struktura e mureve. Kisha mbulohet me kulm dy ujor, të mbuluar me pllaka plumbi. Posedon dy hyrje, hyrja kryesore nga ana perëndimore dhe një hyrje nga ana jugore. Në pjesën lindore ndodhet absida gjysmë harkore kurse në pjesën perëndimore dhe jugore pranë hyrjeve ndodhet streha e cila mbështetet mbi shtylla guri me prerje rrethore. Në enterier, në anën lindore gjendet altari në formë gjysmëharkore, para altarit gjendet naosi i cili ndahet nga narteksi me një shkallë. Në pjesën perëndimore të enterierit, respektivisht mbi portën hyrëse ndodhet galeria, kurse në pjesët jugore dhe perëndimore nga altari ndodhet proskomodia dhe diakonikoni. Në kuadër të kompleksit të kishës, gjendet edhe Kisha e vjetër e Shën Gjergjit – Runoviç, ndërtesa që është shfrytëzuar si Konsullatë Rusë gjatë shek. XIX, konaku dhe shtëpia e mysafirëve. Gjatë viteve 2005-2010 janë kryer disa intervenime restauruese, me ç’rast është bërë pastrimi i kishës dhe rrethinës së saj, pastrimi dhe riparimi i gurëve dhe të dëmtuara në mure, rindërtimi i qemerëve dhe kupolës nga guri, montimi i kulmit të ri nga druri, instalimet elektrike, rindërtimi i enterierit dhe montimi i këmbanave, rindërtimi i konakut qendror dhe shtëpisë së mysafirëve në oborr të kishës.