Lokaliteti i periudhës së bronzit të Korishës (Prizren)
Lokaliteti i periudhës së bronzit të Korishës, ishte hulumtuar gjatë vitit 2006 dhe kishte karakter të gërmim-shpëtimit. Lokaliteti pozicionohet në faqen lindore të qafës në trajtë të shalës, fare pranë kalasë së Korishës. Kemi të bëjmë me një vendbanim me një sipërfaqe prej afër 1 hektar dhe me lartësi mbidetare prej 723-728 metër, të shtrirë në një pjerrësi. Ky lokalitet kishte karakter të një fortifikimi që mbrohej nga natyra në një anë dhe ledhet mbrojtëse në anët e tjera. Gërmimet arkeologjike të zhvilluara në dy sektorë rezultuan me identifikimin dhe zbulimin e banesave dhe horizonteve të banimit që janë tipike dhe në aspektin kronologjik datohen në periudhën e bronzit të hershëm dhe bronzit të mesëm. Vegla pune të punuara nga guri, fragmente dhe enë qeramike të zbuluara këtu, shumë mirë e përfaqësojnë kohën në fjalë.