Kalaja e Prizrenit (Prizren)

Kalaja e Prizrenit përmban në vete një pjesë të rëndësishme të historisë së lashtë të qytetit. Pozicioni i saj topografik, dominues mbi qytetin, peizazhi natyror mjaft tërheqës dhe konfigurimi arkitektonik i menduar mjaft mirë, e bëjnë këtë lokalitet me vlera të padiskutueshme ambientale, shkencore, historike dhe turistike. Është e vendosur në pjesën lindore të qytetit mbi një kodër në formë konike. Muret fortifikuese ndjekin izohipsat e terrenit në trajtë përafërsisht vezake me zgjatje në drejtimin veri-jug. Burimet e shkruara flasin shumë pak për Kalanë e Prizrenit. Shënimi më i vjetër që dihet është ai i kronistit Bizantin Prokopi i Cezares në veprën “De aedificiis” (Mbi ndërtimet). Në këtë vepër në mesin e fortifikimeve të meremetuara në Dardani, evidentohet për herë të parë edhe kjo kala me emrin Petrizen, emër që i përket emrit të sotëm të Prizrenit. Në aspektin ndërtimor ndahet në tri komplekse të veçanta të quajtura: Qyteti i Epërm, Qyteti i Poshtëm dhe Qyteti Jugor, ndërsa në aspektin e fortifikimit ndër shekuj, ajo i përket periudhave të ndryshme: Periudha antike, Periudha e sundimit Bizantin, Periudha e zotërimit Nemanjid dhe Periudha e sundimit të Perandorisë Osmane. Një studim më voluminoz është bërë në vitin 1969 me ç’rast krahas gërmimeve arkeologjike është bërë edhe incizimi arkitektonik i Kalasë. Gërmimet arkeologjike të bëra me 1969 dhe 2004 rezultuan me zbulimin e infrastrukturës, e cila prezentohet me muret (bedenat) e përforcuara me kulla, kazamatet, labirintet, depotë si dhe një varg objektesh në brendinë e saj. Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike të bëra në vitet 2004 dhe 2009/2011 nxori në pah një vendbanim parahistorik nga epoka e bronzit dhe periudha e hershme e hekurit i cili ka shërbyer si bërthama e parë e jetës në këtë vend. Po ashtu për herë të parë këto gërmime dhanë gjurmë të arkitekturës dhe dëshmi të materialit të datueshëm në periudhën romake dhe antikën e vonë. Gjatë periudhës Osmane, kalaja zgjerohet duke ndërtuar dhe përforcuar muret fortifikuese si dhe pasurohet me objekte të reja si hamami, xhamia, dhe objekte tjera për nevojat ushtarake. Renovimi i saj i fundit i është bërë në dekadën e tretë të shek. XIX të, nga familja e borgjezëve vendas, Rotllajve. Kalaja e Prizrenit funksionin primar kreu deri më vitin 1912. Prej asaj kohe objekti lihet pas dore me çka fillon procesi i degradimit të tij. Në vitet 2008-2010 fillojnë disa punë restauruese-konservuese si masë emergjente në parandalimin e këtij procesi degradues. Kalaja e Prizrenit me pozitën e saj dominuese në qytet paraqet njërin prej monumenteve më të rëndësishme që tërheq vizitorët e Prizrenit. Krahas vlerave të larta historike, arkitektonike, shkencore, ky lokalitet ka edhe vlerë të madhe ekonomike për zhvillim të turizmit kulturor. Duke filluar nga viti 2010 në kuadër të Festivalit ndërkombëtar të Filmit Dokumentar “Dokufest”, në hyrje të Kalasë improvizohet një Kinema e Hapur ku emetohen filma të ndryshëm, duke e pasuruar funksionin e Kalasë edhe me një aktivitet të rëndësishëm kulturor.